Adresimi i sfidave tona për të lënë një ndikim të qëndrueshëm në komunitetin tonë. See our foundation

Fondacioni "Golden Eagle" - Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar

Dhjetor 6, 2024
Shpërndaje

Me një përkushtim të jashtëzakonshëm për të promovuar barazinë dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar, Fondacioni "Golden Eagle" organizoi sot një ngjarje të veçantë, duke mbledhur figura kyçe nga sfera institucionale dhe sociale.

Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të shquara si Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, deputeti Enver Hoxhaj, si dhe kryetarët e komunave Lipjan dhe Suharekë, z. Imri Ahmeti dhe z. Bali Muharremaj.

Aktivitetet përfshinë një vizitë në fabrikën "Freesia" në Lipjan, një shembull inspirues i përfshirjes dhe fuqizimit të personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës. Gjatë kësaj vizite, deputeti Enver Hoxhaj mbajti një fjalim frymëzuese, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të gjithë – ndërkaq, Ministrja Rozeta Hajdari tha se kjo ngjarje është mundësi për të parë talentin e personave me aftësi të kufizuar përtej paragjykimeve.

Në kuadër të eventit u organizua edhe një ekspozitë e punimeve artistike të realizuara nga persona me aftësi të kufizuar, ku u ndanë çmime për artistët pjesëmarrës.
Po ashtu Fondacioni Golden Eagle ka mbështetur Shoqatën AstroVire me 10,000 euro për një projekt që fuqizon fëmijët me aftësi të kufizuara, veçanërisht ata shurdhmemecë, duke i aftësuar në gjuhën e programimit për një të ardhme më të mirë.

Fisnik Kryeziu, përfaqësues i Fondacionit, theksoi se për vitin 2025 janë planifikuar investime prej 1 milion eurosh për avancimin e linjave të prodhimit të letrës në fabrikën "Freesia," duke krijuar kështu mundësi të reja për personat me aftësi të kufizuar dhe duke rritur ndikimin ekonomik dhe social të këtij sektori.

Fondacioni "Golden Eagle" mbetet një partner në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke frymëzuar përkushtimin institucional dhe shoqëror për kauzat e rëndësishme sociale.

Lajmet e fundit